Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Europian rrëzoi dje, 9 shtator 2026, padinë e paraqitur nga Hungaria, nën qeverisjen e Viktor Orbán kundër vendimit të Komitetit të European Peace Facility (Fasiliteti Europian i Paqes) për të përdorur të ardhurat e jashtëzakonshme nga asetet ruse të ngrira për mbështetjen e ushtrisë ukrainase.

Sipas gjyqtarëve, Gjykata nuk ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtij vendimi, pasi ai lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet politike ose strategjike të ndërmarra në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Po dje, Gjykata e Përgjithshme e BE-së rrëzoi edhe padinë e oligarkut rus Roman Abramovich kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj tij, duke konfirmuar masat kufizuese të ndërmarra kundër tij.

Gjyqtarët e BE-së rikujtuan se Abramovich është aksioneri kryesor i Evraz, shoqërisë mëmë të një prej grupeve më të mëdha të industrisë së çelikut dhe minierave në Rusi. Ai zotëron gjithashtu pjesëmarrje në Norilsk Nickel, një prej prodhuesve kryesorë në botë të paladiumit dhe nikelit të rafinuar.

Sipas Gjykatës, nëpërmjet këtyre aktiviteteve dhe pjesëmarrjeve, Abramovich i siguron qeverisë ruse një burim të konsiderueshëm të ardhurash, të cilat përdoren për të financuar përpjekjet e luftës në Ukrainë.


/tvklan.al