Në shkëmbim të një garancie pasurore prej 90 000 eurosh Gjykata e Faktit të Durrësit ka lënë të lirë kryetarin e degës së tatimtaksave Ramazan Myrto dhe avokatin Ylli Kosova. Ndërsa për tre të dyshuarit e tjerë për evazion fiskal doganierin Alfred Hoxha, shoferin Olsi Çuka dhe biznesmenin Gëzim Kosova kjo gjykatë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg pa afat deri në përfundim të hetimeve. Njeriu më i përfolur në këtë skandal Ramazan Myrto e ka rifituar lirinë kundrejt 60 000 eurove, ndërsa avokati Kosova është lënë i lirë pas garancisë pasurore prej 30 000 eurosh. Pesë të dyshuarit për shmangie të detyrimeve doganore u arrestuan të shtunën pas firmosjes së fletëarresteve nga Prokuroria e Durrësit. Arrestimi i tyre u krye pasi në vitin 2003 shtetasit në fjalë dyshohet se kanë kaluar një sasi elbi dhe birre të importuar nga Austria duke i sjellë shtetit një dëm ekonomik prej 120 milionë lekësh. /tvklan.al