Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Izraelit ka deklaruar se personat apo organizatat që e cilësojnë Izraelin si “shtet aparteidi” nuk duhet të lejohen të hyjnë në territorin izraelit.

Deklarata u bë nga gjyqtari Alex Stein gjatë shqyrtimit të një çështjeje që lidhet me ankesat e disa organizatave ndërkombëtare humanitare, të cilave Izraeli u ka ndaluar aktivitetin në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

Organizatat kishin kërkuar të vazhdonin ofrimin e ndihmës për popullsinë palestineze, por qeveria izraelite e kishte refuzuar kërkesën, duke argumentuar se disa prej tyre kanë promovuar “delegjitimimin e Izraelit”.

Në vendimin e saj, trupa gjykuese e përbërë nga Yael Willner, Ruth Ronnen dhe Alex Stein pranoi argumentin e shtetit izraelit se mund të marrë parasysh qëndrimet publike ndaj Izraelit kur vendos për lejimin e veprimtarisë së organizatave të huaja.

Gjykata përmendi gjithashtu pretendimet për lidhje të disa organizatave me grupin Islamic Relief, i cili është shpallur organizatë e paligjshme në Izrael në vitin 2014.

Mes organizatave që kishin paraqitur ankesën ishin Save the Children, organizata italiane CESVI dhe grupi suedez Diakonia.

Gjyqtari Stein u ndal veçanërisht te përdorimi i termit “aparteid” ndaj Izraelit, duke thënë se kjo nuk është thjesht pjesë e një debati politik.

“Termi aparteid kalon vija të kuqe. Izraeli mund të kritikohet për raste dhune, por përdorimi i kësaj fjale ka një kuptim shumë të qartë dhe delegjitimon shtetin në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë urdhëroi heqjen e një opinioni mjekësor të bashkëngjitur në një kërkesë që kërkonte lejimin e pacientëve nga Gaza për të hyrë në Izrael për trajtim shëndetësor.

Raporti ishte hartuar nga mjekja Ambereen Sleemi, e cila kishte punuar për gjashtë javë në spitalin Nasser në Gaza. Në të ajo përshkruante mungesa të ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe raste të grave shtatzëna e foshnjave që nuk kishin marrë kujdesin e nevojshëm.

Megjithatë, gjyqtarët kundërshtuan pjesët ku mjekja ngrinte akuza ndaj ushtrisë izraelite dhe qeverisë.

Pesë organizata për të drejtat e njeriut kishin kërkuar nga Gjykata e Lartë që Izraeli të rikthente evakuimet mjekësore nga Gaza drejt spitaleve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, duke argumentuar se kufizimet aktuale po rrezikonin jetën e pacientëve.

Qeveria izraelite deklaroi se transferimi i pacientëve drejt vendeve të treta ishte një alternativë më e përshtatshme, ndërsa organizatat kundërshtuan duke thënë se kjo nuk mund të përballojë nevojat e mëdha shëndetësore në Gaza.

/tvklan.al