Gjykata e Lartë mund t’i drejtohet drejpërdrejt Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi vetëm nëse ajo gjykon se ky i fundit mban përgjegjësi penale për atë që është paditur. Është ky sqarimi që kanë dhënë juristët e Gjykatës së Lartë, ku disa ditë më parë ka mbërritur një kërkesë nga bashkëshortja e kryeministrit zonja Xhoana Nano e cila padit deputetin Lesi për shpifje dhe fyerje. Paditësja ka depozituar materialet që vërtetojnë, sipas saj, akuzat ndaj Lesit siç janë disa artikuj të gazetës “Koha Jonë”. Kemi vënë në dijeni deputetin Lesi për padinë që ka ardhur ndaj tij, kanë sqaruar juristët e Gjykatës së Lartë. Meqë i padituri gëzon imunitetin e deputetit, kërkesa do të shqyrtohet nga kjo gjykatë, kjo e fundit është ende në fazën e verifikimit të kësaj dosjeje çka do të thotë se janë dy rrugët që mund të marrë çështja në ditët në vazhdim, ose padija të refuzohet, ose në rast se verifikohet se janë konsumuar elementet e shpifjes apo fyerjes, kjo gjykatë i drejtohet kuvendit pa qenë i nevojshëm ndërmjetësimi i Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi. /tvklan.al