Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka rrëzuar një miratim nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e një centrali bërthamor nga Rusia në Hungari, duke argumentuar se nuk është e qartë nëse qeveria e Viktor Orban-it ka ndjekur rregullat e prokurimit publik të BE-së kur ia dha kontratën kompanisë Rosatom pa një tender publik. Kështu raporton Financial Times.

Ky zhvillim ligjor përbën një pengesë në një moment të ndjeshëm për kryeministrin hungarez, i cili po përballet me presion në rritje për të reduktuar varësinë energjetike të vendit nga Rusia, të cilën ai është përpjekur ta ruajë, pavarësisht luftës së Moskës në Ukrainë.

Të enjten, gjyqtarët në gjykatën me seli në Luksemburg vendosën se Komisioni Evropian duhej të kishte marrë në konsideratë rregullat e prokurimit publik të BE-së kur miratoi planet e Budapestit për të subvencionuar ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë nga Rosatom.

“Komisioni duhej të kishte verifikuar nëse kjo dhënie direkte pa procedurë tenderimi publik, ishte në përputhje me rregullat e prokurimit të BE-së,” tha gjykata. “Komisioni e konsideroi se ishte në rregull, por vendimi i tij nuk ishte i argumentuar mjaftueshëm.”

Budapesti kishte planifikuar ndërtimin e një centrali bërthamor me kapacitet 2 gigavat, për të cilin kishte krijuar një partneritet me Rosatom-in (kompani shtetërore ruse) në vitin 2014, në një proces të vonuar që tani synon të përfundojë deri në fillim të viteve 2030. Centrali ekzistues bërthamor në Paks ka funksionuar me katër reaktorë të ndërtuar nga Rusia që nga vitet 1980.

Ndërkohë që vendet e tjera të ish-bllokut lindor janë kthyer drejt teknologjive perëndimore për të modernizuar infrastrukturën e tyre bërthamore të kohës sovjetike, Hungaria ka këmbëngulur të ruajë partneritetin me Rusinë, ndonëse ka shqyrtuar edhe alternativa.

Rosatom udhëheq projektin dhe ka përfshirë disa kompani të mëdha ndërkombëtare, përfshirë grupe franceze dhe gjermane, si nënkontraktorë, por zemra e centralit do të jenë dy reaktorët që po prodhohen nga Nizhny Novgorod Engineering.

Qeveria hungareze deklaroi se do të vazhdojë projektin sipas planit, por është e gatshme të bashkëpunojë me Komisionin për të treguar se ka përmbushur rregullat e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore.

“Gjykata nuk tha që projekti nuk i përmbushte rregullat e prokurimit publik, por se arsyetimi i Komisionit nuk ishte i mjaftueshëm,” tha ministri i çështjeve evropiane, Janos Boka, në një konferencë për shtyp të enjten. “Një tjetër procedurë e kishte vërtetuar këtë (vite më parë), por nuk u përdor për të mbështetur vendimin aktual… Nuk ka asnjë arsye ligjore për të mos vazhduar investimin në Paks me ritmin aktual,” shtoi ai.

Komisioni Evropian deklaroi se do të “studiojë me kujdes vendimin dhe do të shqyrtojë hapat e ardhshëm.”

/tvklan.al