Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kërkonte shpalljen antikushtetuese të vendimeve për caktimin e masës së sigurisë të caktuar ndaj tij, si dhe kundërshtonte mënyrën se si ajo u ekzekutua.
Përmes një njoftimi zyrtar, Kushtuesja argumenton se masa “arrest me burg” e lëshuar nga Gjykata e Posaçme është vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk është joproporcionale.
Sa i takon ekzekutimit të saj, gjykata thotë se pretendimet për veprime arbitrare ish-presidenti i ka kallëzuar në disa instanca, madje, ka dhe një hetim në Prokurorinë e Tiranës, ndaj edhe kjo pikë është rrëzuar nga togat e zeza.
Ilir Meta prej tetorit 2024 ndodhet në qelitë e paraburgimit pas dyshimeve të ngritura nga SPAK se ai ka konsumuar veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Për këtë dosje, prokuroria dyshon se të përfshirë janë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe 4 persona të tjerë.
Çështja ndaj tyre do të nisë gjykimin më 27 prill, ora 11:00, në Gjykatën e Posaçme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 