Gjykata e Tiranës vendosi të mbajë në qeli pa afat Elvis Shkambin, Gjon Shkambin dhe Banush Koxhajn, të arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit pak pasi ai shpalli një vendim.

Seanca, e cila zgjati një orë e gjysmë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, tregoi se Elvis Shkambi, i cili qëlloi ndaj magjistratit me tre plumba, veproi pas një tronditjeje të fortë nga vendimi.

Avokati i tij, Kujtim Ibraj, tha për mediat pas seancës se 30-vjeçari kishte kërkuar ndjesë për vrasjen: “Ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm. Gjyqtari dhe prokurori janë në zbatim të ligjit dhe nuk mund të vriten. Besoj se kjo do të shërbejë si kambanë alarmi edhe për sistemin e drejtësisë, që nuk duhet të arrijë në zvarritje të tejskajshme.”

Prokuroria njoftoi se xhaxha dhe nipi kanë bashkëpunuar dhe ky i fundit është shtyrë drejt krimit nga Gjon Shkambi, si pala direkt e përfshirë në këtë proces. Avokati shtoi se ngjarja nuk ishte planifikuar.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, vrasje e funksionarit publik dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, punonjësi i administratës së Gjykatës së Apelit, B.K., deklaroi gjatë seancës se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore ditën e ngjarjes për shkak të diabetit dhe kërkoi të zëvendësohet.

Tv Klan

/tvklan.al