Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar argumentet e dhëna nga kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Joniad Myzyraj, për ndryshimin e masës së sigurisë. Gjyqtarja Igerta Hysi la në fuqi vendimin e shkallës së parë për masën e sigurimit “detyrim paraqitjeje” dhe “pezullim nga ushtrimi i detyrës“.

Ai ka mohuar dyshimet e SPAK-ut se ka konsumuar elementë të veprës penale: shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka dyshime se kreu i Prokurimeve Publike ka abuzuar me një tender me vlerë 2.3 milionë euro. Tenderi në fjalë ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrugës Shpal–Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 kilometra, ku sipas hetimeve ka rezultuar se, pas ndërhyrjes nga zyrtarët, tenderi iu dha kompanisë me ofertën më të lartë.

SPAK ka në dorë përgjimet që iu dorëzuan Gjykatës së Posaçme për të kërkuar pezullimin nga detyra të kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Joniad Myzyraj, duke argumentuar se si punonjësja e tij e ka implikuar atë në shkelje gjatë detyrës.

Biseda është bërë mes Lindita Skejës, e bashkëpandehur me Myzyrajn, dhe të afërmve të saj, ku i ankohet se ka bërë siç i ka kërkuar drejtuesi gjatë procedurave.

SPAK thotë se këto përgjime, të gërshetuara me provat e tjera dokumentare, tregojnë se si vendimmarrja e Komisionit të Prokurimeve Publike për tenderin ka qenë e ndikuar dhe jo në respektim të ligjit.

Për këtë tender, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe disa persona të tjerë, të gjithë të dyshuar se kanë shkelur barazinë në tendera.

Të njëjtat përgjime kanë vënë në lëvizje SPAK që të hetojë mbi grabitjen e 200 mijë eurove në banesën e Skejës, në mënyrë që të kuptojë burimin e atyre parave. Kjo ngjarje ka ndodhur para disa vitesh në Librazhd.

Klan News

/tvklan.al