Kjo është pamja e përditshme e hyrjes dhe hollit të Gjykatës së Tiranës, dhoma penale e saj, ku në ditë zhvillohen mesatarisht 60 procese gjyqësore me të paraburgosur dhe persona në gjendje të lirë. Kjo hyrje ka dy punonjës që merren me menaxhimin e qytetarëve, një prej të cilëve polic i burgjeve, teksa aksesohet në të njëjtën kohë nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe palët në proces.

“Kjo është një nga 3 sallat e Gjykatës së Tiranës, dhoma penale, ku mund të zhvillohen gjyqe me të paraburgosur. Seanca të tilla, kjo gjykatë që pret numrin më të lartë të qytetarëve me probleme me drejtësinë në kryeqytet, mban afërsisht 30 në ditë. E numërtuar si salla numër 8, kjo është më e madhja me një kapacitet prej afro 50 vendesh, por pa hapësirë domethënëse mes palëve, teksa dy të tjerat kanë dukshëm hapësira më të vogla”, raporton gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi.

Katër sallat e tjera të kësaj gjykate janë në katin e dytë dhe për të shkuar aty përdoren të njëjtat shkallë. Në ambientet e brendshme nuk ka punonjës sigurie.

“Ndërsa kjo është pamja e një salle tjetër, ku zhvillohen gjyqe me palë në gjendje të lirë. Hapësira është dukshëm shumë e vogël dhe palët nga njëra-tjetra nuk janë larg as një metër”, thotë gazetarja Metushi.

Tv Klan u interesua pranë gjykatave në rrethe dhe të dhënat zyrtare tregojnë se mesatarisht ato zhvillojnë 50 deri në 100 seanca gjyqësore në ditë, dhe palët në proces kanë mundësinë të akomodohen në ambiente me 4 deri në 8 salla gjykimi. Edhe ato paraqesin të njëjtat shqetësime, siç është mungesa e ambienteve të mjaftueshme për të akomoduar qytetarët, hyrje-dalje të cilat aksesohen nga të gjitha palët në proces dhe mungesa e policisë.

Tv Klan

/tvklan.al