4.5 miliardë njerëz në planet nuk kanë banjo në shtëpi

Mbi 60% e popullsisë botërore nuk ka akses për shërbime higjienike. Sipas statistikave të OKB, kjo do të thotë që 4.5 miliardë njerëz në planetin tonë, nuk kanë një tualet në banesën e tyre, nga të cilët 892 milionë si të tillë përdorin mjedisin e hapur.

Kjo mungesë e madhe ka impakt të jashtëzakonshëm mbi shëndetin publik global sikurse edhe mbi kushtet e jetesës, të punës, ushqyerja, ekonomia dhe edukimi. Gjithashtu 900 milionë studentë në botë nuk kanë në dispozicion lavamanë për të larë duart, ndërkohë që një në çdo pesë shkolla nuk janë të pajisura me tualet, që është një problem mjaft serioz për të gjithë, e shumë më tepër për vajzat.

Objektivi i Kombeve të Bashkuara është të kthejë vëmendjen për zgjidhjen e këtij problemi, veçanërisht në Afrikë dhe Indi, ku mungesa e tualetit konsiderohet si diçka normale e natyrale. Dhe duhen zgjidhje efikase pasi kjo sjell një krizë aktuale sanitare botërore, ku 1.8 miliardë njerëz konsumojnë ujë që kanë në përmbajtje mbetje fekalesh.

Klan Plus