4.5 milionë euro pasuri të sekuestruar, 20 të arrestuar brenda dhe jashtë vendit dhe zbardhje e disa vrasjeve të bujshme të ndodhura gjatë viteve të fundit, është bilanci i operacionit të Policisë, RENEA-s dhe 30 oficerëve të BKH-së gjatë kontrolleve në bazat e bosëve të krimit pas lëshimit të 50 urdhër-arresteve nga SPAK. Gjatë 20 orëve operacion të shtrirë në disa qytete njëkohësisht u gjetën 3 milionë euro kesh të fshehura në valixhe por edhe të groposura në tokë, makina të blinduara dhe orë “Rolex”.

Pas hetimeve disa vjeçare edhe sigurimit të provave, Prokuroria e Posaçme goditi 7 grupe te rëndësishme kriminale në vendin tonë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë dhe Rrëshen. 14 urdhër-arreste të SPAK janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit e konkretisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 ne Belgjikë.

Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e ish-deputetit të Lezhës Arben Ndoka, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020.

Konkretisht, në dosjen e SPAK drejtori i Policisë se Lezhës në vitin 2020 Henrigert Mitri akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës. Po ashtu edhe efektivi Klodian Shahini, ish-punonjës i policie kufitare, aktualisht efektivë në Policinë e Shtetit akuzohet se mbështeste grupet kriminale ne kultivimin e drogës.

Po ashtu SPAK ka firmosur urdhër-arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s dhe kolegun e tij me iniciale A.P.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri-tjetrit për të kryer ekzekutimet. Në njoftim përmendet grupi i Ervis Martinajt, Grupi i Arben Ndokës në Lezhë, grupi Duka në Tiranë, Grupi Avdylaj në Shijak dhe grupi i Durim Bamit në Fushë-Krujë dhe grupi i Shullazit në Tiranë. Këta grupe lidhnin aleanca mes tyre për të dobësuar njërin krah apo forcuar grupin tjetër duke porositur dhe paguar vrasës me pagesë për kryerjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në disa qytete të vendit.

Në këtë operacion u përfshirë Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke.

Klan News