5 kilogramë drogë, 3 prej të cilave kokainë dhe 2 heroinë, u sekuestruan nga Policia e Tiranës, e cila vuri në pranga 2 persona. Përmes një konference për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, tha se sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike do të dërgohej në qytetin e Durrësit.

“Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u siguruan informacione në rrugë operative se dy shtetas do të transportonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në zonën e ‘Treshit’, në afërsi të Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit”.

Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua në rrugën “Kastriotët” në Tiranë.

“Gjatë operacionit, në rrugën ‘Kastriotët’, është konstatuar automjeti tip ‘Mercedes-Benz’, me dy shtetasit e dyshuar, të cilët po transportonin lëndën narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të automjetit, shërbimet e Policisë kanë evidentuar një çantë, në brendësi të së cilës kishte 7 pako me lëndë të dyshuar narkotike”.

Policia tha se ky operacion është në vazhdën e një tjetër, ku disa javë më parë u arrestuan dy persona të tjerë me 250 gramë kokainë, teksa sasia e sekuestruar këtë të diel është ndër më të lartat e kapura prej disa kohësh në kryeqytet.

Tv Klan

/tvklan.al