Këto janë pamjet e shpërthimit që shkaktoi sulmi rus me raketa dhe dronë në kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga TV Klan, shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka prekur një pjesë të konsiderueshme të kompleksit që ndodhet pranë selisë së ambasadës.
Dëmet materiale kanë qenë të mëdha, por fatmirësisht nuk ka të lënduar nga stafi i ambasadës shqiptare në Kiev. Ambasadori Filo u shpreh për Klan News se sulmi ishte një nga më të fortët.
“Për fat të mirë jemi mirë. Unë jam i vetëm në këtë godinë, por ka edhe banorë të tjerë. Jam i vetmi diplomat. Sulmi ka filluar në orën 10 të mbrëmjes së kaluar dhe ka zgjatur deri në 6:30 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta qëkur kemi hapur ambasadën në fillim të vitit të kaluar, me dronë dhe raketa të llojeve të ndryshme”.
Filo zbuloi edhe komunikimet me zyrtarët e qeverisë në Kiev pas sulmit, ndërsa theksoi edhe njëherë mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën.
“Janë interesuar. Më kanë dhënë mbështetje. Më kanë shprehur solidaritetin. E gjithë trupa diplomatike do të qëndrojë këtu për t’i dhënë mesazhin që ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë me ta”.
Për ngjarjen ka reaguar ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili e ka dënuar atë.
“Kjo është e papranueshme! Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë”.
Ministri Hoxha i bën thirrje Rusisë që të ndalë sulmet dhe të ulet në negociata, duke theksuar qëndrimin e Shqipërisë krah Ukrainës.
“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata”.
Ministria e Jashtme thotë se ambasadori rus në Shqipëri, Alexey Zaytsev, është thirrur për të dhënë shpjegime.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 