Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, doli në konferencë për mediat këtë të mërkurë, 20 maj. Fillimisht u ndal te ajo që ka ndodhur në Sarandë, ku janë arrestuar disa efektivë, përfshirë edhe kreun e Komisariatit të qytetit bregdetar. Jo më larg se mbrëmë, në vazhdën e operacionit, u prangos një oficer i policisë gjyqësore.
”Bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, u përket shqiptarëve”, theksoi ministri, duke bërë apel për hetim të thelluar mbi përgjegjësinë e kujtdo që është përfshirë në rastet e shkeljes së ligjit.
Sa i takon ndërtimeve pa leje, tha se ka pasur shumë masa administrative, gjatë muajit prill.
“Nga IKMT janë marrë 67 gjoba, në një vlerë prej 122 milionë lekësh, vetëm për një muaj. Sigurisht nga gjobat, kalojmë edhe në referim apo ndjekje penale”, tha Lamallari, duke theksuar se mbrojtja e territorit është prioritet absolut i qeverisë shqiptare. “Nuk do të neglizhohet asnjë rast, kushdo që shkel uniformën do të përgjigjet një për një para ligjit”, paralajmëroi Lamallari referuar kështu arrestimeve të fundit.
Më tej, u ndal te rritja rekord e numrit të pushuesve, që rrjedhimisht ka çuar në shtimin e masave për të garantuar sigurinë e tyre, nga pikat kufitare e deri te plazhet.
Njoftoi se është shtuar prania policore në territor, sidomos në zonat turistike.
“Do të kemi patrullime të veçanta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik-31 gusht 2026. Do të ngrihen stacione provizore, pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Theth, Valbonë, Koman, Tale, Gjiri i Lalzit dhe Ksamil. Forcim i kontrollit të trafikut dhe menaxhim i fluksit në pikat e kontrollit kufitar si dhe shtim i sporteleve të përpunimit të pasagjerëve në porte dhe aeroporte.”
“Një tjetër lajm që vlen të ndahet me ju është bashkëpunimi i mëtejshëm me Guarda di Finanza, në sajë të kontrollit të territorit, sa i përket veprimtarisë së paligjshme të kanabisit. Nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor, janë planifikuar në total 200 orë fluturimi, me 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku konkretisht risi do të jetë përdorimin e një avioni të veçantë që do të përcjellë në kohë reale koordinatat e ndryshuara”, bëri me dije ministri.
Më tej, u fokusua te siguria në shkolla, për garantimin e së cilës do të implementohet “Smart City”.
Fillimisht plani do të zbatohet në 20 ose 21 shkolla të kryeqyteti, si projekt pilot, e më pas do të shtirhet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas ministrit, ky projekt do të finalizohet vitin e ardhshëm arsimor.
“Po merren masa të posaçme për parandalimin e incidenteve në ambientet e shkollave”, shtoi Lamallari, duke kujtuar edhe rastet e rënda të ndodhura më herët, që kanë përfunduar deri në tragjedi.
“Aktualisht që po flasim po kryhen kontrolle në mjedise të veçanta të shkollave, pikërisht për të garantuar që nuk do kemi raste të tilla. Kemi 330 efektivë në shkolla që bashkëpunojnë në baza ditore me Policinë e Shtetit”, tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast.
“Ka patur një komunikim publik edhe nga AKU-ja, që është instancë përgjegjëse për të bërë verifikimet përkatëse. Nga 9 monstra që ata kanë marrë e analizuar, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave, dhe një ka rezultuar me prani të stafilokokut. Është lokalizuar ky mjedis, është dezinfektuar dhe aktiviteti ka vijuar normalisht, për ofrimin e shërbimit të ushqimit te studentët. Tani që flasim nuk kemi raste problematike”, tha ministri sa i takon helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Marrë shkas nga vizita e fundit e ministrit italian, Matteo Piantedosi, gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj e pyeti ministrin lidhur me planin që po rishikohet nga Italia për funksionimin e qendrës në Gjadër.
Pyetja: Gjatë kësaj kohe, a ka patur komunikime për ta kthyer atë në qendër strehimi dhe jo riatdhesimi siç ka funksionuar më herët, të paktën në disa raste, se tashmë është bosh?!
Lamallari: Jo, nuk ka pasur një diskutim të tillë, përkundrazi kemi folur për partneritetin strategjik, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës apo për përballimin e emigracionit të paligjshëm. Shqipëria i qëndron pranë Italisë në sfidat e saj në këtë fushë, ka qenë një vendimmarje e qartë e qeverisë shqiptare, mbetemi të angazhuar në këtë drejtim.
“Është shumë e rëndësishme që qytetarët të mos bombardohen me informacion të panevojshëm, sepse kjo është një mënyrë dezinformimi. Duhet dhënë informacion korrekt, në kontekstin që ndodh ngjarja dhe për aq sa i takon çdokujt! Për sa kohë vetë ministri i Punëve të Brendshme nuk informohet dhe as nuk interes për çështje operacionale, se ashtu e përcakton ligji, edhe Policia nuk mund ta ndajë informacion, për më tepër për operacionet që zhvillohen. Duhet shumë kujdes! Komunikimi i shërben transparencës përmes rritjes së cilësisë së raportimit”, u shpreh Lamallari në mbyllje duke sqaruar kështu modelin ndryshe të komunikimit së fundmi nga ana e Policisë së Shtetit.












Botërori 2026 
