Sulmuesi kuqezi bëhet golashënuesi më i mirë i huaj tek ekipi turk me 27 gola

Sokol Cikalleshi shënoi golin e parë në fitoren 2-0 në transfertë të Koniasporit në fushën e Pendiksporit në Superligën turke.

Rrjetë speciale për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, që vendosi rekord te skuadra turke. Në minutën e 12 ai realizoi me penallti, duke u bërë shënuesi më i mirë i huaj te Koniaspori në Superligën e Turqisë.

Cikalleshi shkon në kuotën e 27 golave, duke lënë pas boshnjakun Riad Bajiç. Kjo ishte sfida e 101 e lojtarit 33-vjeçar me Koniasporin.

Rrjeta tjetër e takimit u realizua nga ish-futbollisti i Kukësit, Valon Et’hemi.

Në këtë sezon, Cikalleshi ka shënuar 9 gola në Superligën turke dhe ka dhënë edhe 5 asiste. Në total, ai ka luajtur në 1955 minuta në kampionat.

Klan News