Kristjan Asllani shënoi golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë dhe ishte një nga më të mirët në fushë.

Pas ndeshjes, mesfushori foli për Tv Klan, ku u shfaq i lumtur për golin, ndërsa foli edhe për lëvizjen në merkato.

Ndër të tjera, Asllani theksoi se nuk ka gjë më të mirë sesa të veshësh fanellën e Kombëtares.

“Jam i lumtur sepse donim ta nisnim mirë. 20 minutat e para ishin të vështira. Jemi të lumtur për këto 3 pikë.

Manaj më kishte thënë para ndeshjes që nëse do kishte penallti, ai do të shkonte te topi, por do e gjuaja unë. Jam i lumtur për golin.

Kur e kishin topin ata, unë shkoja lart dhe e kisha të vështirë të kapja topin e dytë. Besoj se krijuam shumë raste. Pas 2-0 e vendosëm ndeshjen dhe dua të vazhdojmë kështu.

Kam refuzuar disa oferta. Pastaj erdhi oferta nga Al Jazira dhe pranova. Jam i lumtur. Tani mendoj për Kombëtaren. E kam thënë që nuk ka gjë më të mirë sesa të mbash këtë fanellë”, deklaroi Asllani.  

/tvklan.al