Kuzhinieri i njohur britanik dhe ylli i televizionit, Gordon Ramsay, ka zbuluar se ka kaluar një trajtim për heqjen e kancerit të lëkurës. Lajmin e bëri publik vetë 58-vjeçari përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi ekipin mjekësor për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale.
Sipas BBC, Ramsay iu nënshtrua trajtimit për heqjen e një karcinome bazale (basal cell carcinoma), një formë e kancerit jo-melanomë e cila, në shumicën e rasteve, është e trajtueshme.
Në postimin e tij në rrjete sociale, ai shkroi “Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe i vlerësuar për punën e shpejtë dhe të jashtëzakonshme të mjekëve.”
Duke iu referuar gjendjes së tij, Ramsay u bëri thirrje ndjekësve të kujdesen për ekspozimin ndaj diellit “Ju lutem, mos harroni kremrat mbrojtës këtë fundjavë. Ju premtoj, nuk është një lifting! Përndryshe, do të kërkoja rimbursim.”
Në foto të publikuara në rrjetet sociale, ai shfaqej me një fashë poshtë veshit pas ndërhyrjes.

Mesazhe mbështetjeje erdhën nga shumë figura publike, përfshirë gjyqtarin televiziv Robert Rinder, ndërsa organizata Cancer Research UK e uroi për shërimin dhe e falënderoi që po rrit ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj rrezeve të diellit. Në reagimin e tyre theksohej rëndësia e masave parandaluese “Qëndroni në hije, vishni rroba mbrojtëse dhe përdorni rregullisht krem dielli.”
Çfarë është karcinoma bazale?
Sipas NHS, karcinoma bazale është një ndër format më të shpeshta të kancerit jo-melanomë të lëkurës, që zakonisht shfaqet si një rritje ose njollë e pazakontë në lëkurë. Prek më shpesh zonat e ekspozuara ndaj diellit, si fytyra, qafa apo duart.
Shkaku kryesor është drita ultravjollcë (UV) nga dielli ose solarët. Simptomat shpesh janë lehtësisht të dallueshme dhe, me trajtim të hershëm, ky lloj kanceri është i shërueshëm. Ekspertët theksojnë rëndësinë e përdorimit të kremrave mbrojtës dhe shmangies së ekspozimit të zgjatur në diell.
/tvklan.al












Botërori 2026 
