Mbi 100 mijë euro të përfituara nga grabitja e dy filialeve bankare dyshohet se kanë përfunduar në kazino të ndryshme të Tiranës. R,D, i arrestuar nga policia, ka dëshmuar para grupit hetimor, duke pranuar se pjesën më të madhe të shumës së grabitur e ka shpenzuar në lojëra fati.
Për këtë arsye, grupi hetimor u ka kërkuar informacione këtyre subjekteve, për të verifikuar nëse Duka ka qenë klient i regjistruar dhe nëse ka kryer transaksione apo lojëra me shuma të konsiderueshme parash.
Ai u ka thënë hetuesve se rreth 6 mijë euro, ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit. Të dy personat janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se R.D u kishte para borxh.
Megjithatë, kjo pjesë e dëshmisë po verifikohet nga grupi hetimor, në kuadër të gjurmimit të destinacionit të parave të grabitura.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, pjesa më e madhe e parave të gjetura është sekuestruar në banesën e tij në Vlorë, ndërsa në Tiranë 50-vjeçari jetonte në një apartament me qira.
Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, e cila punon në një bankë të nivelit të dytë.
Për shumën e parave të gjetura në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të siguruara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.
Tashmë hetuesit po verifikojnë jo vetëm deklarimet e të dyshuarit dhe të personave të tjerë të pyetur, por edhe lëvizjet financiare, për të përcaktuar se ku kanë përfunduar paratë e grabitura dhe nëse në këtë ngjarje mund të jenë përfshirë persona të tjerë.
/tvklan.al












Botërori 2026 