Një 22-vjeçar dyshohet se është një nga dy personat që grabitën argjendarinë  mesditën e të shtunës së kaluar në Kamëz. Ai është shtetasi me iniciale E.H nga Kruja, i cili është arrestuar nga policia e Kamzës.

I riu së bashku me një tjetër person, tashmë të identifikuar, por që ende nuk është arrestuar nga blutë, dyshohet se kanë bashkëpunuar për të kryer grabitjen.

Pasi morën bizhuteri dhe sende me vlerë miliona lekë, dy agresorët u larguan drejt Zall Herrit dhe nëpërmjet fshatrave arritën deri në Krujë.

Gjatë arratisjes mësohet se u kanë rënë në tokë disa bizhuteri, të cilat u sekustruan nga policia.

Shtetasi me iniciale E.H, u kap në Malësinë e Krujës. Atij i janë gjetur rroba dhe sende të tjera të djegura në banesë, të cilat dyshohet se i ka përdorur gjatë grabitjes.

Ndërkohë janë gjetur edhe kuti bojërash, të cilat dyshohet se janë përdorur për lyerjen e motorit, për të shmangur zbulimin nga policia.

Para hetuesve i riu e ka mohuar përfshirjen në grabitje. 22-vjeçari rezulton me precedent për kultivim kanabisi.

Blutë ende nuk kanë gjetur as motorin dhe armën e zjarrit që u përdor për të kryer grabitjen.

Klan News

/tvklan.al