Gratë e naftëtarëve të Ballshit vijojnë të qëndrojnë në grevë urie prej 11 ditësh. Ato shprehen të vendosura që ta vazhdojnë betejën për kauzën e tyre.

Pasi mbrëmjen e kaluar një prej grave u dërgua me urgjencë në spital për shkak të gjendjes së rënduar, ato e kanë konsideruar të papërgjegjshme faktin që kryeministri kërkon negociata për bukën e gojës.

“Për çfarë? Kur ne e kemi thënë shumë qartë, për bukën e fëmijës nuk negociohet, sepse nuk e kërkojmë të na e falë të na japë lëmoshë, por djersën tonë. Kryeministri thotë hajde ta negociojmë, çfarë është kjo papërgjegjësi e kryeministrit që thotë hajde negociojmë, ne duam lekët që kemi punuar”, janë shprehur ato për mediat.

Naftëtarët kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafinerinë e Ballshit. Ndërkohë kryeministri ka bërë thirrje që gratë të dalin nga protesta në mënyrë që të fillojnë bisedimet. /tvklan.al