Tradita e Panairit të Librit në Green Coast vijoi edhe këtë vit, duke shënuar edicionin e tij të pestë.

Panairi 4-ditor solli pranë pushuesve dhe vizitorëve titujt bestseller të letërsisë, duke promovuar librin si pjesë të pandashme të pushimeve.

Shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro mirëpriti të gjithë vizitorët, duke ndarë me ta opinione rreth librave dhe autorëve më të njohur të momentit.

Interesi edhe këtë vit ishte i lartë, si nga pushuesit shqiptarë, ashtu edhe nga ata të huaj, të cilët gjetën një përzgjedhje të gjerë titujsh në gjuhën angleze.

Një kënd i veçantë iu kushtua lexuesve më të vegjël, me libra për grupmosha të ndryshme, duke e kthyer panairin në një hapësirë tërheqëse për të gjithë.

Panairi i Librit kulmoi në një mbrëmje poetike, e cila u organizua për herë të parë në Green Coast Hotel MGallery Collection.

Në këtë ngjarje të veçantë kushtuar librit, Rita Petro dhe Mimoza Ahmeti interpretuan para publikut disa nga poezitë e tyre, të shoqëruara nga interpretimi muzikor i Kamela Islamajt.

/tvklan.al