Përmbytje katastrofike kanë gjunjëzuar ishullin e Kretës në Greqi dhe qytezën e Madrigueras në lindje të Spanjës. Nga një viktimë është shënuar në secilin vend. Në Kretë, veçanërisht në zonat bregdetare të Ierapetrës dhe Rethymnos, reshjet me volum rekord shkaktuan përmbytje masive që morën përpara automjete.

Një i moshuar 80-vjeçar humbi jetën në Rethymno pasi u mor nga rrjedha e ujit, ndërsa forcat e shpëtimit evakuuan mbi 20 banorë të bllokuar në shtëpi e makina. Në rajonin e Xyloskalos, sasia e reshjeve që ra përgjatë 48 orëve ishte sa për gjithë vitin, rreth 440 milimetra. Autoritetet mbyllën përkohësisht shkollat dhe institucionet publike.

Pamjet janë të ngjashme edhe në Madrigueras të Spanjës, ku dhjetëra automjete u morën përpara nga vala e rrëmbyer e ujërave.

Një e moshuar 102-vjeçare humbi jetën në shtëpinë e saj, ku niveli i ujit kaloi një metër, ndërsa 90 banorë u evakuuan me emergjencë.

Sipas ekspertëve, këto ngjarje lidhen drejtpërdrejt me ngrohjen globale, e cila ka shpeshtuar dhe ekstremizuar fenomenet natyrore vdekjeprurëse në mbarë kontinentin.

Tv Klan

/tvklan.al