Autoritet greke pritet të vendosin një taksë prej 20 eurosh për vizitorët që vijnë me anije turistike në ishujt e Santorinit dhe Mykonos gjatë sezonit të pikut të verës.

Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis i cili në një konferencë për shtyp të dielën përshkroi politikat e tij kryesore ekonomike për vitin 2025.

Mitsotakis sqaroi se turizmi masiv ishte një problem vetëm në disa destinacione.

“Greqia nuk ka një problem strukturor të mbiturizmit. Disa nga destinacionet e saj kanë një problem të rëndësishëm gjatë disa javëve apo muajve të vitit, të cilat ne duhet t’i trajtojmë. Anijet turistike kanë rënduar Santorinin dhe Mykonosin dhe kjo është arsyeja pse ne po ndërhyjmë.”

Një pjesë e të ardhurave nga taksa do të shkojnë për investime në infrastrukturë. Qeveria planifikon gjithashtu të rregullojë numrin e anijeve turistike që mbërrijnë njëkohësisht në destinacione të caktuara.

Klan News