Sipas ekspertëve grekë tingujt e muzikës përhapin koronavirusin

Greqia ka rihapur plazhet dhe javën e ardhshme hapin dyert edhe muzetë. Me një ndryshim nga vitet e kaluara pasi në baret e plazheve nuk lejohen të luajnë muzikë, një masë që aplikohet edhe për restorantet e kafenetë.

Duke shpjeguar ndalimin e muzikës, zyrtarët grekë të shëndetësisë deklaruan se raportet e ekspertëve kanë dëshmuar se zhurma e krijuar nga tingujt muzikorë në këto ambiente mund të kontribuojë në përhapjen e koronavirusit pasi nxit klientët e entuziazmuar që të ngrenë zërin, duke përhapur shumë grimca në ajër dhe të grumbullohen në afërsi me njëri-tjetrin.

Masat e sigurisë shëndetësore në kushtet e pandemisë së koronavirusit si distancimi fizik dhe maskat kryesisht për stafin do të vazhdojnë të zbatohen në vendpushimet turistike dhe në plazhe. I gjithë stafi do të duhet t’i nënshtrohet testimit për koronavirusin dy herë në javë.

Kufizimet thonë se secila tryezë mund të vendosë maksimumi gjashtë persona, dhe klientët duhet të ulen, të mos qëndrojnë në këmbë. Kufizimet e karantinës janë hequr për udhëtarët e vaksinuar nga BE dhe për një numër të vogël të vendeve të tjera përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Klan News