Situatë dramatike nga zjarret në Greqi gjatë 24 orëve të fundit. Këto pamje tregojnë zjarrin që ndodhet shumë pranë zonës së banuar dhe industriale në periferinë veriore të Patrës, qytetit të tretë më të madh të Greqisë, që kërcënohet edhe nga një tjetër vatër e madhe në jug, në zonën e Akajas.
Këto dy vatra janë mes dhjetëra që kanë shpërthyer në gjithë vendin, shumica e të cilave krejtësisht jashtë kontrollit, për shkak të temperaturave përvëluese, motit të thatë dhe erërave të fuqishme. Vatrat janë përqëndruar kryesisht në zonat perëndimore, përfshirë edhe një vatër pranë Athinës, por edhe në ishullin Kios në Egjeun Lindor.
Në alarm nga zjarret është edhe Turqia. Pas zonës bregdetare të Çanakalasë, ku me qindra banorë e turistë janë evakuuar, një tjetër vatër problematike është ajo në pyjet pranë Izmirit.
Rajoni i Kastijas dhe Leonit vijon të jetë më problematik në Spanjë. Një vatër e madhe u riaktivizua sërish gjatë natës në kryeqendrën rajonale, Zamora. Flakët kanë përpirë disa ndërtesa në zonat e banuara në periferi të qytetit, ndërsa zjarrfikësit janë në betejë për të ndalur përparimin e tyre.
Janë mbi 5 mijë të evakuuarit nga zonat problematike të këtij rajoni. Me zjarre po përballen thuajse të gjithë vendet e jugut të Europës, përfshirë Francën, Italinë dhe shumë vende të Ballkanit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 