Në një intervistë për gazetën e përditshme greke “Ta Nea”, kryediplomati Jerapetritis ka deklaruar se zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit.

Kjo strategji sipas Jerapetritis është reflektuar në zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro.

“E kam thënë shumë herë, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit. Ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme. Strategjia jonë është reflektuar tashmë në nisma specifike, siç është zgjerimi i ujërave tona territoriale në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro. Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxuar të bëjë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër politike. Greqia është zgjeruar dhe do të vijojë që të rritet”, tha Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis.

Nga Dublini disa ditë më parë kryeministri Rama u shpreh se kufiri detar me Greqinë mbetet çështje e pazgjidhur.

Rama nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare gjë që ende nuk ka ndodhur.

Po ashtu kjo çështje është pjesë e kornizës negociatore të BE-së me Shqipërinë por Athina nuk ka penguar kohët e fundit ecurinë e negociatave.

Çështja e kufirit detar nuk është zgjidhur ende nga pala greke edhe me Turqinë.

Klan News

/tvklan.al