Marrja e këstit të fundit prej 31 miliardë euro të ndihmës 130 miliardëshe për ekonominë greke në krizë, është në rrezik. Teksa përfaqësuesit e Trojkës ndërkombëtare ndodhen në Greqi për të vlerësuar ecurinë e reformave financiare, mund të thuhet se qeveria greke ka dështuar në përmbushjen në kohë të objektivave të marrëveshjes për marrjen e kredisë.

Lidhur me këtë situatë, eksperti grek i ekonomisë Manos Matsaganis është i mendimit se tashmë nuk ka më vend për negociata mes Greqisë dhe kredidhënësve ndërkombëtarë.

Manos Matsaganis: “Duke u nisur nga ritmet e vënies në zbatim të reformave, unë nuk besoj se Trojka do të jetë shumë e bindur. Nuk mendoj se Trojka do të pranojë rinegocimin. Është tepër i kushtueshëm. Rinegocim do të thotë më tepër para, të cilat ne nuk mund të vazhdojmë t’i kërkojmë sërish.”

Mospërmbushjen e objektivave brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian e pranoi edhe kryeministri grek Antonis Samaras, i cili parashikon edhe thellimin e recesionit në Greqi në nivelin 7%, nga 5% që ishte parashikuar më parë.

Që prej javës së shkuar, qeveria po sheh mundësinë e të tjera reduktimeve në shpenzimet buxhetore. Veç shkurtimit sipas marrëveshjes të 11.5 miliardë eurove, qeveria po diskuton reduktimin edhe të 280 milion eurove në shpenzimet për shëndetësinë.

Për Matsaganis, këto reduktime do të jenë të paefektshme nëse problemi nuk kapet që në rrënjë.

Manos Matsaganis: “Reformat dhe ndryshimet që premton qeveria greke po shtyhen dhe gjërat po lëvizin mjaft ngadalë. Vetëm shkurtimet e rrogave dhe pensioneve po kryhen me ritme të shpejta. Për mendimin tim, edhe kursimet duhen limituar sepse ato po e bëjnë më pak efikase ekonominë dhe sektorin publik.”

Matsaganis thotë gjithashtu se qeveria greke e ka të pamundur të lëvizë në drejtimin e duhur drejt reformave efektive.

Në ditët në vazhdim, kryeministri Samaras do të takohet edhe me krerët e Trojkës, lidhur me raportin e vlerësimit që do të publikohet muajin e ardhshëm. Gjatë ditës, Samaras do të takohet në Athinë edhe me kreun e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso./tvklan.al

/tvklan.al