I nxehti ekstrem ka prekur Europën javën e fundit, duke shënuar rekorde në temperatura. Tani, vala e të nxehtit që filloi në Sahara, ka prekur edhe Groenlandën, ku më shumë rekorde pritet të thyhen ditët në vazhdim.

Temperaturat e larta janë kthyer në një problem për ishullin gjigant akullnajor. Banorët shprehin hapur shqetësimin e tyre, pasi e konsiderojnë ngrohjen globale si rrezik për vendin, që zë vendin e dytë për sipërfaqen më të madhe të akujve. Ndryshimi i klimës po eliminon grumbujt e akujve, duke kontribuar kështu në rritjen e nivelit të detit, por duke rrezikuar të gjithë globin.

Studiuesit tregojnë se sasia e akullit të shkrirë është shumëfishuar kohët e fundit, madje këtë vit akulli në Groenlandë ka filluar të shkrijë që në pranverë, dukuri kjo që ndryshon me të gjithë vitet e kaluara, kur vera ishte koha e minimizimit të sipërfaqes së akujve. Zakonisht akulli shkrin verës, por mesa duket këtë vit ka filluar më herët dhe kjo javë e valës së të nxehtit, pritet të përshpejtojë shkrirjen e masave të ngurta.

Profesori dhe klimatologu, Jason Box, ka theksuar se ky vit mund të barasvlerësohet me vitin 2012, kur vetëm në një minutë u shkrinë më shumë se 14,000 ton akull. Referuar të dhënave që CNN ka siguruar, bota është shumë afër ndryshimeve të mëdha klimatike.

Klan Plus