Kris Jenner ka rikthyer vëmendjen te jeta e saj sentimentale, pasi partneri i saj prej shumë vitesh, Corey Gamble, e ka quajtur publikisht “gruaja ime” në urimin për ditëlindjen e saj të 71-të, duke nxitur dyshimet se çifti mund të jetë martuar në fshehtësi.

Të enjten, më 5 nëntor, Gamble publikoi në Instagram disa fotografi të Kris dhe një imazh të tyre së bashku, të shoqëruara me një dedikim romantik.

“Gëzuar ditëlindjen! Të dua përgjithmonë. Je nëna më e mirë, më e dashur dhe më e ëmbël për të gjithë fëmijët e tu. Ndihem i bekuar që të kam në jetën time, gruaja ime. Uroj të kemi edhe shumë vite të tjera të mrekullueshme së bashku. Të dua shumë”, shkroi ai. Kris iu përgjigj: “Të dua”.

Përdorimi i kësaj shprehjeje riktheu thashethemet për një fejesë apo martesë të fshehtë, të cilat qarkullojnë prej vitesh. Në vitin 2017, kur u pyet nëse do të martohej sërish, Jenner u përgjigj me humor se i kishte provuar dy herë dhe nuk kishte pasur shumë sukses.

Një vit më vonë, ajo shmangu një tjetër pyetje rreth një fejese të mundshme, duke zgjedhur të hante një bulkth në emisionin e James Corden, në vend që të zbulonte nëse diamanti 20-karatësh që mbante në gisht ishte unazë fejese.

Edhe në prillin e këtij viti, gjatë podcastit të vajzës së saj Khloé Kardashian, Kris u pyet nëse kishte ndërmend të martohej. Ajo fillimisht u përgjigj “jo”, por më pas shtoi në mënyrë misterioze: “Nuk i dihet kurrë”.

Megjithatë, pavarësisht aludimeve të shumta, Kris Jenner dhe Corey Gamble nuk kanë konfirmuar se janë martuar në fshehtësi.

/tvklan.al