Një edukatore kopshti në Aksaraj të Turqisë ka plagosur me thikë në shpatull të dashurin e saj një vit më të ri dhe e ka mbajtur peng për disa orë në shtëpinë e saj.

Agjencia turke e lajmeve “DHA’ raporton se ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur 41-vjeçarja B.E. plagosi me thikë të dashurin e saj mekanik, 40-vjeçarin A.B. pas një grindjeje në çift.

Pas zhurmës që dëgjuan, banorët e pallatit njoftuan policinë, e cila mbërriti në vendngjarje. Forcat blu arritën të hynin në shtëpi nga dera e hapur e ballkonit, por 41-vjeçarja e mbante peng të dashurin duke e  kërcënuar me thikë.

Pas përpjekjeve të shumta dhe të pasuksesshme për ta bindur ta linte të lirë pengun, policia si zgjidhje të vetme shikoi hedhjen e gazit lotsjellës duke e neutralizuar gruan.

A.B. u dërgua me ambulancë në Spitalin e Aksarayt, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Agresorja, e cila raportohet se ka probleme shëndetësore, është dërguar për mjekim më të specializuar në Konja, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /tvklan.al