Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme një histori tepër të vështirë dhe të trishtë. 41-vjeçarja, e cila nuk ka pranuar të identifikohet, rrëfeu në studio peripecitë që është duke kaluar, që nga ardhja në jetë e djalit të saj.

Ajo tregoi se djali ka probleme shëndetësore dhe këtë gjë e mësoi në momentin që ai lindi. Për të dhe bashkëshortin ka qenë e vështirë të pranonin se djali i tyre ishte i sëmurë.

Pasi kuptoi diagnozën e djalit, burri i saj filloi që të pinte dhe të tregohej i dhunshëm me të dhe djalin.

Për 41-vjeçaren, dhimbja është e madhe dhe për faktin se djali i saj bulizohet dhe dhunohet nga bashkëmoshatarët.

Mirela Milori: Djali është 13 vjeç?

41-vjeçarja:  Po!

Mirela Milori: Këtë fëmijë ke?

41-vjeçarja: Po i vetmi që kam!

Mirela Milori: Ndihesh mirë?

41-vjeçarja: Normal që s’ndihem mirë, të kesh një fëmijë të sëmurë, kuptohet  gjendja.

Mirela Milori: Kur u kuptua që vuante me dignozën e mosdëgjimit dhe problematikën që ai ka?

41-vjeçarja: Sa lindi djali më thanë që ka lindur i sëmurë. Gjithmonë me shpresa, nuk doja ta besoja. Mendoja se do kishte shërim, por ka ngelur gjithmonë në spital dhe me ilaçe.

Mirela Milori: Ka patur ndonjë periudhë përmirësimi? Si ka qenë ecuria e tij?

41-vjeçarja: Jo, gjithmonë i sëmurë.

Mirela Milori: Ndërkohë ti jeton me bashkëshortin?

41-vjeçarja: Po me bashkëshortin dhe me djalin!

Mirela Milori: Si ka qenë jeta jote? Si ka qenë martesa jote?

41-vjeçarja: Në fillim shumë mirë, mbasi lindi djali mori vesh që ishte i sëmurë dhe filloi të pinte shumë fare. Vinte ditë për ditë në gjendje të dehur në shtëpi, filloi të më godiste mua dhe djalin. Kohët e fundit më thotë që nuk i sjell për të ngrënë, le të vdesë, se është i sëmurë, nuk e dua. Këto në prezencë të djalit dhe djali ka qenë shumë keq, e ka përjetuar shumë keq.

Mirela Milori: Kur filluan problemet e forta, problemet e mëdha kur nisën?

41-vjeçarja: Mbasi kam qenë te një televizion dhe atje nuk është se më dhanë ndihmë. Kam bashkëpunuar herë pas here, u kam shkruar, më kanë thënë shko në polici, shko në Prokurori nuk e zgjidhim dot. Në atë kohë ka filluar burri më rrihte shumë keq, në rrugë, në shtëpi sepse djalin filluan ta godisnin, ta shanin të gjithë. Prindërit nuk bënin dot asgjë, policia asgjë, Prokuroria asgjë. Djali rrihej shumë keq, kam dhe letrat që ka shkuar në spital, letrat kanë vajtur në Prokurori. Burri më thoshte ti e bëre publike dhe filloi të më rrihte, është faji yt që djalin e shajnë, e godasin.

Mirela Milori: Kush e rrihte djalin?

41-vjeçarja: Fëmijët jashtë! Rrahje shumë keq, sa përfundon në spital.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte kur i ndodhën këto abuzime?

41-vjeçarja: Që 5 vjeç, deri tani.

Mirela Milori: Domethënë e dhunojnë djalin?

41-vjeçarja: Po shumë keq!

Mirela Milori: Ke folur me prindërit e këtyre fëmijëve?

41-vjeçarja: Po! Ti të sëmurë e ke mbaje brenda. Fëmijët bëhen grup dhe e shajnë./tvklan.al