Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Gregory Grynkeuich, ka deklaruar se Aleanca nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve të Rusisë dhe se vendet evropiane duhet të mbajnë të hapura kanalet e komunikimit me Moskën.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, ai theksoi se për të ruajtur paqen, NATO duhet të jetë e përgatitur edhe për luftë. Sipas tij, kërcënimi rus në krahun lindor të Aleancës kërkon rritjen e gatishmërisë ushtarake dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Grynkeuich nënvizoi se nuk e konsideron një konflikt me Rusinë të afërt apo të pashmangshëm, por paralajmëroi se parandalimi i tij kërkon përgatitje reale për çdo skenar. Ai tha se NATO po investon më shumë në mbrojtje, po forcon fuqinë e saj industriale dhe po bashkon kapacitetet ushtarake për të frenuar kërcënimet. Sipas gjeneralit, Aleanca duhet të planifikojë jo vetëm për atë që është e mundshme të ndodhë, por edhe për skenarët që mund të kenë pasoja të rënda, edhe nëse nuk konsiderohen më të mundshmit.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, komandanti i NATO-s siguroi se mbështetja e Aleancës për Kievin mbetet e palëkundur, ndërsa synimi është arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ai tha se, ndërsa vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, NATO dhe partnerët e saj do të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet nga agresioni rus, përmes asistencës ushtarake.
I pyetur për propozimin amerikan, të zbuluar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që Ukraina të heqë dorë nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO, Grynkeuich sqaroi se vendimi për pranimin e një vendi të ri, nuk i takon komandantit ushtarak.
Sipas tij, çdo vendim për zgjerimin e Aleancës merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor politik i NATO-s, dhe kërkon konsensusin e të gjithë vendeve anëtare. Grynkeuich theksoi gjithashtu se NATO mbetet një shtyllë themelore e sigurisë evropiane, duke mbështetur edhe idenë e një dialogu të drejtpërdrejtë mes Moskës dhe partnerëve evropianë, si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen e paqes.
/tvklan.al












Botërori 2026 
