Publikimi i shumëpritur i “GTA 6”, pas 13 vitesh pritjeje, ka shkaktuar një fenomen të pazakontë në tregun e punës. Të apasionuarit pas videolojës po kërkojnë ditë pushimi vetëm për të kaluar kohë në botën virtuale të krijuar nga Rockstar Games.

Sipas të dhënave të kompanisë BambooHR, kërkesat për ditë pushimi me pagesë në SHBA për 19 nëntorin janë rritur me rreth 13%. Një sondazh i saj zbuloi gjithashtu se rreth një e treta e punonjësve të Gjeneratës Z planifikojnë të marrin pushim për këtë rast.

Por disa kompani kanë shkuar edhe më tej. Logitech u ka ofruar rreth 7 mijë punonjësve në mbarë botën një ditë pushimi me pagesë për të luajtur videolojërat e tyre të preferuara, përmes nismës “Logi Game Day”. Dita e lirë mund të merret më 19 nëntor ose në një moment tjetër gjatë vitit të ardhshëm.

Reuters sjell edhe një histori mjaft interesante nga Singapori. Julian Tay ka hartuar një marrëveshje me pesë pika për bashkëshorten e tij, ku përcakton rregullat gjatë 10 ditëve të para pas publikimit të lojës. Dokumenti parashikon edhe momentet kur mund të ndërpritet loja për përqafime, puthje apo detyra familjare.

Ndërkohë, në Japoni, studioja e videolojërave Pocketpair, e njohur për “Palworld”, ka njoftuar pesë ditë pushimi për punonjësit, nga 19 deri më 23 nëntor, duke e përshkruar me humor si një udhëtim urgjent në Vice City.

Duket se “GTA 6” nuk po ndikon vetëm në industrinë e videolojërave, por edhe në kalendarët e punës. Pas 13 vitesh pritjeje, për shumë fansa, një ditë në zyrë mund të presë, por aventura në Vice City jo!

/tvklan.al