“Pushtimi tokësor i Rafahut do të ishte një tragjedi, ndihmat janë jetike në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, në një vizitë në Jordani në kampin e refugjatëve Al-Wihdat, përsëriti rëndësinë e vendosjes së një armëpushimi dhe dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës.

“Unë shoh një konsensus në rritje në bashkësinë ndërkombëtare për t’u thënë izraelitëve se armëpushimi është i nevojshëm dhe gjithashtu shoh një konsensus në rritje, e kam dëgjuar atë në SHBA, e kam dëgjuar nga Bashkimi Evropian. Duhet që Izraelit t’i bëhet e qartë se çdo pushtim tokësor i Rafahut mund të nënkuptojë një fatkeqësi humanitare katastrofike dhe shpresoj fuqimisht që ky konsensus të shfaqet në të gjithë komunitetin ndërkombëtar.”

Guterres u zotua gjithashtu për financimin e vazhdueshëm për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), për të cilën ai tha se është “një rreze drite në një botë që errësohet”. Vizita e Guterres, e cila është pjesë e “udhëtimit të tij të solidaritetit” në vendet muslimane gjatë Ramazanit, vjen pasi Izraeli përballet me presionin global për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Gaza, e cila është shkatërruar nga më shumë se pesë muaj luftë.

Ndihma jetike ushqimore për mijëra në Gazën veriore është ndalur pasi aksesi i sigurt nuk u lehtësua në 48 orët e fundit, sipas një deklarate nga zyra humanitare e OKB-së për territoret palestineze. Zyrtarët e UNRWA-s kanë bërë të ditur se Izraeli informoi OKB-në se nuk do të miratojë më autokolona ushqimore në veri të Gazës. OKB ka bërë të ditur se nëse nuk lejohet që agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë të veprojë në Gaza shumë njerëz do të vdesin.

Ndërkaq forcat izraelite rrethuan dy spitale të tjera të Gazës duke bllokuar ekipet mjekësore nën të shtëna të forta, tha Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, dhe Izraeli tha se kishte kapur 480 militantë në përleshjet e vazhdueshme në spitalin kryesor Al Shifa të Gazës. Ato kryen gjithashtu bastisje edhe mbyllën Spitalin Al-Amal në Nasser në jug të Gazës.

Në Rafah, qyteti më jugor i Gazës në kufirin me Egjiptin, që është bërë streha e fundit për gjysmën e popullsisë së shkatërruar të Gazës, një sulm ajror izraelit në një shtëpi vrau shtatë persona.

Klan News