02 shtator 2026- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësim të fortë për rifillimin e përleshjeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë natës.
Përmes zëdhënësit të tij, Stephane Dujarric, kreu i OKB-së ka shprehur gjithashtu alarm për raportimet mbi viktima civile në Iran, përfshirë një incident ku dyshohet se është goditur një ceremoni dasme.
Guterres dënoi çdo sulm ndaj civilëve dhe rikujtoi se palët e përfshira në konflikt duhet të respektojnë detyrimet që burojnë nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
Sipas tij, veprimet ushtarake duhet të respektojnë parimet e dallimit mes objektivave ushtarake dhe civilëve, proporcionalitetit dhe marrjes së masave të nevojshme për mbrojtjen e popullsisë.
Zëdhënësi i OKB-së paralajmëroi se përshkallëzimi i konfliktit po prek gjithnjë e më shumë vendet e rajonit. Hapësira ajrore dhe rrugët kryesore të transportit detar vijojnë të përballen me pasoja të rënda.
Guterres u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që mund të rrisë më tej tensionet.
Sipas tij, një përshkallëzim i ri do të mund të sillte pasoja të rënda për civilët, për rajonin dhe përtej tij. OKB-ja paralajmëron se operacionet humanitare në zonë janë tashmë nën presion të madh dhe përballen me mungesë financimi.
Në këtë situatë, shefi i OKB-së u ka kërkuar SHBA-së dhe Iranit të rikthehen sa më shpejt në tryezën e diplomacisë, duke theksuar se një zgjidhje e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse mund të arrihet përmes dialogut dhe negociatave.
/tvklan.al












Botërori 2026 