Rritja e depozitave të qytetarëve është shenjë e rikthimit të besimit te sistemit bankar në vend, duhet të ecë paralelisht me rritjen e kreditimit të ekonomisë nga ana e bankave.

Kjo është thirrja e guvernatorit Fullani gjatë forumit të katër të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë me aktorët e sistemit bankar në vend.

Depozitat konstatoi guvernatorri u rritën me 7.6% gjatë 2009, duke kapur nivelet e shtatorit të vitit 2008, kohë kur filloi tërheqja e tyre.

Ndërkohë që ritmi i rritjes vjetore të kredisë ka qenë rreth tre herë më i ulët këtë periudhë krahasuar me 2008-n.

Banka e Shqipërisë vlerëson se janë pjekur kushtet për rritjen e mëtejshme të kredisë, sidomos gjysmën e dytë të vitit.

Ardian Fullani: “Ekonomia ka nevojë të financohet për një zhvillim të qëndrueshëm. Ju tërheq vëmendjen që të jeni më aktiv në këtë drejtim. Kthimi i depozitave ka krijuar tashmë kushtet për një rigjallërim total të ekonomisë. Moto e sistemit bankar për vitin 2010-t do të jetë çdo lek depozitë e shtuar të konvertohet në një lek kredi të re për ekonominë”.

Furnizmimi i biznesit dhe i qytetarëve me likuiditet duhet të shoqërohet me një transparencë më të madhe nga bankat mbi kostot e shërbimeve. Këto të fundit sipas Guvernatorit Fullani vijojnë të jenë të larta dhje jo konkurruese.

Ardian Fullani: “Në Bankën e Shqipërisë jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë në lidhje m,e kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Puna e personelit të bankës për të siguruar transparencën me klientët është sipërfaqësore dhe ndonjëherë e mangët. Gjithashtu transaksionet midis klientëve të bankave të ndryshme penalizohen prej komisioneve relativisht më të larta duke penguar në këtë mënyrë kryerjen e pagesave nëpërmjet bankave”.

Krahas rritjes së kreditimit bankat duhet të ndjekin me kujdes nivelin e kredisë me probleme, e cila ka shkuar në 10.5% të totalit të portofolit të kredisë theksoi Guvernatori, duke ekzekutuar në kohë kolateralin./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

/tvklan.al