Historiania dhe studiuesja Nevila Nika ka ngritur një shqetësim lidhur me mënyrën se si një pjesë e të rinjve e perceptojnë historinë kombëtare dhe figurat e saj më të rëndësishme.
E ftuar në emisionin “Rudina”, Tv Klan, ku diskutoi mbi patriotizmin dhe respektin për simbolet kombëtare, ajo zbuloi se është befasuar nga qëndrimet e disa të rinjve, të cilët, sipas saj, vënë në dyshim edhe ekzistencën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.
Duke marrë si shembull respektin që amerikanët tregojnë për flamurin e tyre kombëtar, Nika theksoi se simbolet kombëtare duhet të trajtohen me dinjitet dhe të jenë pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve. Ajo solli një episod nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, sipas saj, ushtarët amerikanë reaguan menjëherë kur flamuri ra në tokë, duke e zëvendësuar atë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse flamuri ka asistuar në një incident, një flamur i ra ushtarëve amerikanë, po e vinin dhe iu ra përtokë, erdhën me vrap marinsat amerikanë, e morën, e hoqën dhe sollën një tjetër. Ai nuk përdoret më. Do të thotë edhe për tokë nuk duhet të bjerë. Në çdo dritare, në çdo ballkon gjithë vitin mund ta lësh flamurin dhe nuk ka asgjë të keqe që të kesh flamurin tënd kombëtar. Që këtu fillon, është një simbol, ai na mbledh neve. Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar. Unë kam dëgjuar, jam befasuar, që ka të rinj sot që thonë është një mit, nuk ka ekzistuar Gjergj Kastrioti”, u shpreh ajo.
Një tjetër shqetësim që ajo ngriti lidhet me mënyrën se si trajtohen monumentet dhe hapësirat që simbolizojnë historinë kombëtare. Sipas Nikës, figura e heroit kombëtar duhet të gëzojë respekt të veçantë dhe nuk duhet të shoqërohet me aktivitete apo struktura që cenojnë dinjitetin e saj.
“Por nëse pranë monumentit të heroit tonë kombëtar vë një karusel për t’u rrotulluar dhe diku ngrihet dhe një barakë atje për të pirë një gotë birrë edhe disa qofte, jo! Heroi kombëtar është heroi kombëtar, duhet respektuar pafundësisht”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Nika theksoi se patriotizmi nuk duhet të mbetet vetëm te fjalët, flamuri apo simbolet, por duhet të dëshmohet përmes punës, përkushtimit dhe sakrificës për vendin. Duke iu referuar shembullit të Holandës (shprehja: holandezët e kanë bërë Holandën), ajo nënvizoi se dashuria për atdheun matet edhe me kontributin që secili jep për zhvillimin dhe mbrojtjen e tij.
“Dhe ky është patriotizëm: e mbrojmë me punë, me përkushtim, me sakrificë. Ai që luftoi, luftoi në mal. Sot, falë Zotit, nuk kemi luftë, por ne duhet të luftojmë për vendin tonë. Edhe ky është patriotizëm”, përfundoi historiania.
/tvklan.al












Botërori 2026 