Parlamenti hungarez ka miratuar një ndryshim kushtetues që hap rrugën për largimin nga detyra të presidentit aktual Tamás Sulyok, i konsideruar si një aleat i afërt i ish-kryeministrit Viktor Orbán. Ky zhvillim vjen si pjesë e procesit të ashtuquajtur të “de-orbanizimit”, të nisur nga Péter Magyar dhe partia e tij Tisza.
Para votimit, Magyar deklaroi se lëvizja e tij politike ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët për të ndryshuar sistemin e krijuar gjatë viteve të qeverisjes së Orbánit. Sipas tij, shumica parlamentare prej dy të tretash do të përdoret për të çmontuar strukturat, që opozita i konsideron të lidhura me pushtetin e mëparshëm.
Sipas ndryshimit të miratuar, presidenti Tamás Sulyok ka një afat prej pesë ditësh për të nënshkruar ligjin kushtetues dhe për të dhënë dorëheqjen nga posti. Nëse ai nuk pranon të largohet, Peter Magyar ka paralajmëruar se do të nisë një procedurë për shkarkimin e tij.
Ndryshimet kushtetuese nuk lidhen vetëm me postin e presidentit, por përfshijnë edhe reforma të tjera. Një nga masat e parashikuara është krijimi i një institucioni të posaçëm që do të merret me rikuperimin e fondeve të humbura, për shkak të korrupsionit dhe me hetimin e rasteve të abuzimit me pushtetin.
Viktor Orbán ka deklaruar se do të kundërshtojë çdo përpjekje për largimin e presidentit dhe ka paralajmëruar një përballje të fortë politike. Megjithatë, ai nuk ishte i pranishëm në seancën parlamentare gjatë votimit, pasi ndodhej në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës në futboll.
Kriza e re politike shënon një përplasje të drejtpërdrejtë mes forcave të reja tashmë në qeveri dhe kampit të Orbánit, ndërsa Hungaria hyn në një periudhë të rëndësishme ndryshimesh institucionale dhe politike.
/tvklan.al












Botërori 2026 
