Rusia ka ndërmarrë një valë të gjerë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke goditur tre ura strategjike në kryeqytetin Kiev, vetëm pak ditë pasi Ukraina shkaktoi dëme të rënda në Urën e Krimesë, një nga objektet më të rëndësishme strategjike për Moskën.

Sulmet me raketa balistike mbi tre ura që lidhin brigjet e lumit Dniepër shkaktuan vdekjen e tre personave dhe plagosjen e 15 të tjerëve, bëri të ditur kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Në shënjestër të sulmeve ishin ura Podilsko-Voskresensky, ura Darnytskyi dhe Ura e Jugut, të cilat janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me makina private drejt kryeqytetit, përveç rasteve kur është e domosdoshme. Sipas Klitschkos, gjatë sulmit u dëmtua gjithashtu një objekt i rëndësishëm i infrastrukturës kritike, ndërsa shtatë punonjës të personelit mjekësor mbetën të plagosur.

Përveç Kievit, sulmet ruse goditën edhe qytetin perëndimor të Lvivit, ku dy persona humbën jetën pas një sulmi pranë një stacioni hekurudhor. Ndërkohë, në Kharkiv, katër persona u plagosën pasi dronët goditën një spital dhe një zonë banimi. Sulmet e fundit kanë shtuar presionin mbi infrastrukturën ukrainase, ndërsa Moska duket se po intensifikon kundërpërgjigjen ndaj operacionit ukrainas kundër Urës së Krimesë.

Goditja ndaj urës që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë ishte një humbje e rëndësishme taktike dhe simbolike për Kremlinin. Ura, e ndërtuar pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014, ka shërbyer si një rrugë kyçe për transportimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake ruse drejt frontit.

Presidenti Vladimir Putin, i cili e inauguroi personalisht urën në vitin 2019, paralajmëroi se kundërpërgjigjja e Moskës do të ishte “shumë më e dhimbshme”.

/tvklan.al