Izraeli ka marrë dje, 4 nëntor, trupin e pajetë të një tjetër pengu nga grupi palestinez Hamas, përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, sipas zyrës së Kryeministrit izraelit.

Trupi i identifikuar është ai i nënoficerit Itay Chen.

Hamas njoftoi se kishte gjetur trupin e një pengu që mbahej nga militantët palestinezë në lagjen Shejaia, në një zonë ende nën kontroll izraelit, pasi Izraeli lejoi akses për ekipet e Hamasit dhe Kryqit të Kuq.

Ky është trupi i 21-të i pengjeve të vdekura të dorëzuar nga Hamas.

Në këmbim, Izraeli ka dorëzuar 270 trupa palestinezësh të vrarë që nga fillimi i luftës në tetor 2023.

Hamas, sipas autoriteteve izraelite, ka shkaktuar vdekjen e 1 200 personave dhe ka marrë peng 251 persona. Përgjigja ushtarake izraelite ka shkaktuar mbi 68 mijë viktima palestineze, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.

Pakti i armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të ka qëndruar relativisht i qëndrueshëm, megjithëse akoma regjistrohen incidente dhune, duke përfshirë sulme izraelite që kanë shkaktuar 239 viktima nga fillimi i armëpushimit.

/tvklan.al