Njëmbëdhjetë persona, të gjithë nga i njëjti familje, janë vrarë pasi autobusi me të cilin udhëtonin u godit nga një predhë tanku izraelit në veri të Gazës, sipas Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi.

Sipas autoriteteve lokale, familja ishte nisur për të parë shtëpinë e tyre në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës, kur ndodhi incidenti të premten në mbrëmje. Ky është rasti më vdekjeprurës që përfshin trupa izraelite në Gaza që nga fillimi i armëpushimit tetë ditë më parë, raporton BBC.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar mbi një “mjet të dyshimtë” që kishte kaluar të ashtuquajturën “vijë e verdhë”, kufirin që ndan zonat ende të kontrolluara nga forcat izraelite në Gaza.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Bassal, tha për agjencinë AFP se viktimat ishin anëtarë të familjes Abu Shaaban, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Ai shtoi se ata ishin “duke u përpjekur të kontrollonin shtëpinë e tyre” kur u qëlluan.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se automjeti “u identifikua duke iu afruar trupave izraelitë në mënyrë kërcënuese”, prandaj u hap zjarr “për të eliminuar rrezikun”, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Hamasi e ka dënuar incidentin, duke e quajtur “sulm të pajustifikuar ndaj civilëve”.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar banorët palestinezë të mos hyjnë në zonat që ende mbeten nën kontrollin e saj. Megjithatë, për shkak të mungesës së aksesit në internet dhe mungesës së shenjave fizike që tregojnë “vijën e verdhë”, shumë palestinezë nuk e dinë saktësisht se ku ndodhen këto zona.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi të premten se ushtria do të vendosë shenja vizuale për të përcaktuar kufirin e asaj që njihet si “vija e verdhë”.

Në zhvillime të tjera, ambasada palestineze në Kajro njoftoi se pika kufitare Rafah do të hapet të hënën për banorët palestinezë që duan të kthehen nga Egjipti në Gaza.

Ndërkohë, Hamasi dorëzoi trupin e pengut izraelit Eliyahu Margalit tek Kryqi i Kuq, i cili më pas ia ktheu Izraelit. Margalit është pengu i dhjetë që është kthyer i pajetë nga Gaza. Sipas autoriteteve izraelite, trupat e edhe 18 pengjeve të tjera mbeten ende të pashpëtuara.

Izraeli gjithashtu ka dorëzuar trupat e 15 palestinezëve të tjerë përmes Kryqit të Kuq, duke e çuar në 135 numrin total të trupave të marrë nga autoritetet në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Në Izrael janë shfaqur reagime të forta ndaj faktit që Hamasi nuk i ka dorëzuar ende të gjithë trupat e pengjeve të vrarë, edhe pse SHBA ka minimizuar shqetësimet se kjo përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA, Izraeli ka liruar 250 të burgosur palestinezë nga burgjet e tij dhe 1 mijë e 718 të ndaluar nga Gaza, ndërsa Hamasi ka kthyer të gjithë 20 pengjet e gjallë në Izrael.

Fushata ushtarake izraelite në Gaza nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e Hamasit vranë rreth 1 mijë e 200 persona në Izraelin jugor dhe morën 251 pengje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi në Gaza, shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme, më shumë se 67 mijë e 900 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i ofensivës.

/tvklan.al