Hamasi emëroi një udhëheqës të ri politik në Gaza, Yahya Sinwar-in, arkitektin e sulmeve të 7 tetorit në Izrael. Ngritja e tij në hierarkinë politike të organizatës vjen pas vrasjes nga Izraeli të Ismail Haniyeh-së Teheran javën e kaluar.

Sinëar ndodhet i fshehur në Gaza dhe sfidon përpjekjet izraelite për ta vrarë që nga fillimi i luftës.

“Lëvizja e Rezistencës Islamike Hamas shpall zgjedhjen e komandantit Jahja Sinëar si kryetar i byrosë politike, duke pasuar komandantin dëshmor Ismail Haniyeh, Allahu e mëshiroftë”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të lëvizjes.

Lajmi për emërimin u përshëndet me një breshëri raketash nga Gaza.

Sinwar, i cili kaloi gjysmën e jetës së tij të rritur në burgjet izraelite, është lideri më i fuqishëm i Hamasit i mbetur gjallë pas vrasjes së Haniyeh-së, që e ka shtyrë rajonin në prag të një konflikti më të gjerë.

I lindur në një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gazës, KhanYounis, Sinwar, 61 vjeç, u zgjodh si udhëheqës i Hamasit në Gaza në vitin 2017 pasi fitoi reputacion si armik i paepur i Izraelit. Ai ishte më parë kreu i aparatit të sigurisë Al-Majd, i cili gjurmonte, vriste dhe ndëshkonte palestinezët e akuzuar për bashkëpunim me shërbimin sekret izraelit.

Emërimi i Sinwar paraprin hakmarrjen e Iranit dhe Hezbollahut ndaj Izraelit. Kreu i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, tha të martën se përgjigja e Hezbollahut do të jetë “e fortë dhe efikase”, teksa foli në një fjalim televiziv. Nasrallah tha se Hezbollahu do të presë çastin e duhur për t’u përgjigjur.

Pak para se të fillonte fjalimi i tij, avionët luftarakë izraelitë bënë inkursione mbi kryeqytetin libanez, duke shkaktuar një seri zhurmash supersonike që lëkundën fort dritaret në të gjithë qytetin.

Në përgatitjet e fundit për hakmarrjen ndaj Izraelit është edhe Iranit që së fundi është furnizuar nga Rusia me pajisje të përparuara ushtarake, përfshirë raketa balistike të modelit Iskander dhe radarë të sofistikuar.

Ndërsa amerikanët po punojnë me diplomaci në prapaskenë për të nxitur një armëpushim në Gaza dhe ndaluan përshkallëzimin e gjendjes në Lindjen e Mesme, Rusia po armatos hapur Iranin, ndonëse presidenti Vladimir Putin i ka bërë thirrje aleatit të tij të tregohet i përmbajtur.

Klan News