Hamasi dorëzon trupat e pajetë të katër pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza. Që nga arritja marrëveshjes, kjo është hera e parë që grupi liron robërit e vdekur që nga 7 Tetori 2023.
Trupat e pajetë i përkasin Shiri Bibas, e cila ishte 32 vjeç kur ajo dhe djemtë e saj Ariel 4 vjeç dhe Kfir 9 muajsh, u rrëmbyen nga shtëpia e tyre në Kibbutz Nir Oz, në jug të Izraelit nga militantët e udhëhequr nga Hamas më shumë se 16 muaj më parë.
Dy djemtë janë bërë viktimat më të njohura të sulmeve terroriste të 7 Tetorit dhe kthimi i parë i trupave të pengjeve shënon një moment jashtëzakonisht emocional dhe të zymtë për Izraelin.
Viktima e katërt është Oded Lifshitz, i cili ishte 83 vjeç kur ai dhe gruaja e tij, Yocheved Lifshitz, u rrëmbyen nga Kibbutz Nir Oz. Yocheved u lirua nga Hamasi më 24 Tetor 2023. Hamasi pretendoi se në Nëntor 2023, fëmijët e Bibas dhe nëna e tyre u vranë në një sulm ajror izraelit, por nuk dhane asnjë provë.
Izraeli nuk e ka konfirmuar kurrë vdekjen e tyre. Babai i fëmijëve, Yarden Bibas, u lirua nga Hamasi në fillim të këtij muaji pas 484 ditësh robëri. Ai ishte një nga 19 pengjet izraelitë të liruar të gjallë sipas marrëveshjes së armëpushimit të Janarit 2025.
Përpara dorëzimit, militantët e Hamasit vendosën katër arkivole të zeza në një skenë në Khan Younis, pas së cilës ishte një sfond propagandistik me slogane në arabisht, hebraisht dhe anglisht.
“Krimineli i luftës Netanyahu dhe ushtria e tij naziste i vranë me raketa nga avionët luftarakë,” shkruhej në poster.
Një përfaqësues i Kryqit të Kuq u pa duke nënshkruar dokumente në skenë, përpara se arkivolet të futeshin në automjetet e Kryqit të Kuq.
Ekrane të bardha u vendosën dhe qindra militantë dhe kalimtarë ishin mbledhur në vend. Trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore Abu Kabir në Tel Aviv për ekzaminim mjekoligjor.
Pavarësisht akuzave nga të dyja palët për shkelje të armëpushimit, marrëveshja e brishtë që hyri në fuqi më 19 Janar ka shënuar një seri shkëmbimesh pengjesh në Gaza dhe të burgosurish palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Palët po përpiqen për negociata të reja për një fazë të dytë, që pritet të mbulojë kthimin e rreth 60 pengjeve të mbetura, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, dhe një tërheqje e plotë e trupave izraelite nga Rripi i Gazës për të lejuar përfundimin e luftës.
Klan News