Grupi militant palestinez Hamasi reagoi këtë të premte për takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington.
Në një deklaratë, Hamasi tha se çdo diskutim apo proces politik për të ardhmen e Rripit të Gazës dhe popullit palestinez duhet të nisë me ndalimin e agresionit, heqjen e bllokadës dhe garantimin e të drejtave kombëtare për liri dhe vetëvendosje.
Sipas grupit militant, çdo përpjekje për të arritur stabilitet në Gaza duhet të bazohet në adresimin e shkakut rrënjësor të problemit, që është pushtimi nga Izraeli.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi në takimin e parë të Bordit të Paqes grumbullimin e rreth 17 miliardë dollarëve për rindërtimin e Gazës dhe vendosjen e një force paqeruajtëse prej mijëra trupash si pjesë e fazës së dytë të planit amerikan.
Por që këto të ndodhin, Hamasi më parë duhet të çarmatoset. “Shpresoj të mos kemi nevojë që kjo të ndodhë me forcë”, tha Trump gjatë fjalës së tij.
Pavarësisht dakordimit kur u arrit armëpushimi disa muaj më parë, grupi militant ka refuzuar të dorëzojë armët për shkak të frikës së hakmarrjes izraelite.
Çarmatimi i Hamasit do të duhej të bëhej paralelisht me tërheqjen e trupave të Izraelit nga territori i Rripit të Gazës, por as kjo nuk ka ndodhur.
Vazhdimisht palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit gjatë katër muajve të kaluar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
