Pas triumfit në La Liga, të vulosur me fitoren 2-0 ndaj Real Madridit, Hansi Flick do të vazhdojë të udhëheqë Barcelonën edhe për dy sezone të tjera.

Trajneri gjerman dhe drejtuesit katalanas kanë arritur një marrëveshje të plotë për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2028, me opsionin për një sezon shtesë deri në 2029, nëse realizohen objektivat sportive të vendosura nga klubi.

Marrëveshja është arritur pas disa javësh negociatash intensive mes klubit dhe agjentit të Flick. Ky i fundit ka zhvilluar takime të rëndësishme me presidentin Huan Laporta dhe drejtorin sportiv Deko, ku janë hedhur bazat për marrëveshjen finale.

Presidenti i përkohshëm i klubit kishte lënë të kuptohej një ditë më parë se rinovimi ishte pranë finalizimit dhe se Flick është shumë i lumtur në Barcelonë dhe është përshtatur në mënyrë perfekte me klubin.

Barcelona kishte planifikuar fillimisht t’i ofronte Flick një zgjatje njëvjeçare me opsion për një tjetër që në muajin prill, por rezultatet e jashtëzakonshme të trajnerit gjerman kanë bindur klubin për një projekt më afatgjatë.

Kontrata e re garanton që Flick do të jetë pjesë e projektit të ri sportiv të Laportës, mandati i ri i të cilit nis zyrtarisht më 1 korrik. Megjithatë, nënshkrimi zyrtar i kontratës nuk pritet të bëhet menjëherë.

Flick dëshiron të fokusohet plotësisht te fundi i sezonit, ku Barcelona synon të arrijë objektivin e 100 pikëve dhe 100 golave.

Aktualisht, katalanasit numërojnë 91 pikë dhe 91 gola, me tre ndeshje ende për t’u zhvilluar. Pavarësisht se dokumentet nuk janë firmosur ende, marrëveshja mes palëve konsiderohet e mbyllur dhe zyrtarizimi pritet të vijë menjëherë pas përfundimit të sezonit.

Klan News

/tvklan.al