Kohët e fundit, ka qarkulluar në media lajmi për hantavirusin, një virus misterioz, me prejardhje nga brejtësit, që ka ngjallur shumë shqetësim tek njerëzit.

Shqetësimi për këtë virus nisi në fakt pas lajmit se pasagjerët e parë në bordin e anijes me flamur holandez MV Hondius, një anije turistike që lundronte nga Argjentina në Kepin e Gjelbër, u sëmurën në fillim të prillit, me simptoma që varionin nga ethet, problemet gastrointestinale, pneumonia, sindroma e shqetësimit akut respirator dhe shoku.

Për të shpjeguar ndikimin dhe rrezikshmërinë e këtij virusi, e ftuar në një lidhje direkte nga Gjermania këtë të enjte, më 7 maj, në emisionin “Rudina”, në Tv Klan ishte mjekja dhe njëkohësisht kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë Në Evropë, Aurora Dollenberg.

Ajo sqaroi se hantavirusi nuk është një virus i ri dhe i padëgjuar më parë, por ka ekzistuar gjithmonë tek brejtësit, kryesisht tek minjtë.

“Është një virus mjaft i njohur nga OBSH-ja, i cili ekziston tek flora e zakonshme e kafshëve brejtëse siç është miu, prandaj nuk është misterioz dhe nuk është një alarm nga ana e OBSH-së. Edhe pse anija ka pasur gjithë bordin e saj të infektuar për faktin se magazinat e ushqimit aty dhe hambarët ku ishin drithërat edhe ushqimet ishin të infektuara nga fekalet e minjve të cilët e mbartin këtë virus në mënyrë normale.”

Mjekja theksoi që hantavirusi kalon vetëm nga miu tek njeriu dhe nuk përbën rrezik për popullatën sepse nuk kemi një transmetim nga njeriu tek njeriu, të paktën sipas variantit evropian.

“Anija është një rast i izoluar, ka ndodhur një shpërthim i virusit nga mbindotja dhe nuk ka lidhje me rastet e reja të raportuara në Zvicër apo në Francë sepse këto janë raportime të përvitshme që ka OBSH-ja, pasi dihet që në vit ka 2 mijë raste te ato grupe të popullatës, siç janë fermerët, bujqërit apo ata që kanë kontakt me magazinat e ushqimeve që nuk ajrosen.”

Sipas Dollenberg, ishte anija ajo që i dha vëmendjen mediatike hantavirusit, virus i cili ka ekzistuar prej shumë dekadash në popullatën njerëzore dhe bëhet i rrezikshëm vetëm në një kategori të caktuar qytetarësh, sidomos për ata me një sistem shumë të dobët imunitar.

“Nuk është rrezik për popullatën, zakonisht simptomat e hantavirusit trajtohen si të ishte një grip, pra me paracetamol, lëngje dhe vitaminë C.”

E pyetur nëse jemi përballë një pandemie të re, mjekja nënvizoi: “E përjashtuar, nuk ka asnjë arsye për alarm, duhet të jemi të qetë.”

/tvklan.al