Rama: Vepër e shumëpritur, lehtësohet trafiku drejt Jugut

Heqja e këtyre barrierave pasditen e së premtes shënjoi hapjen për automjetet të By Passi të Vlorës.

Aksi prej 30 kilometrash nga përfundimi i autostradës Fier – Vlorë deri në Orikum shmang trafikun e kulmit të sezonit që krijohet në Vlorë dhe zonën e Radhimës për të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Jugut.

Hapjen provizore të rrugës e ndoqi nga afër Kryeministri Edi Rama që tha se me gjithë vështirësitë e terrenit, projekti u finalizua duke i dhënë tashmë një tjetër vlerë kësaj zone sidomos për turistët.

Ministrja e Transportit dhe Insfrastrukturës, Belinda Balluku tregoi se problematika më e madhe ishte shfaqur në ndërtimin e urave. Tashmë sipas saj e gjithë rruga që përshkohet për më pak se 20 minuta ka të gjitha standardet e kërkuara.

Gjatë sezonit veror kjo rrugë e re do të monitorohet nga forca të policisë. Garancinë e dha vetë kreu i uniformave blu.

Në disa pika të veçanta punimet do të vijojnë për veshjen e skarpateve, por kreu i ARRSH-së garantoi se brenda Vjeshtës gjithçka do të ketë përfunduar.

Vlera e këtij investimi është 35.8 milionë Euro dhe përvec investimeve të qeverisë janë përdorur edhe grante të marra prej saj. Ky investim konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në infrastrukturën e Jugut që do të pasohet edhe nga projekti Orikum – Dukat dhe me tunelin e Llogarasë shkurtohet edhe më shumë rruga drejt bregdetit.

Tv Klan