Pas Miratimit të Këshillit të Ministrave të vendimit për largimin e Ilir Prodës nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka hapur menjëherë garën për emërimin e kryepolicit.

Në faqen zyrtare të Ministrisë është publikuar thirrja për aplikim, nga oficerë që synojnë të drejtojnë kupolën blu. Kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre deri më datë 11 mars.

Drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit duhet të mbajë njërën nga gradat e rolit drejtues, të mos ketë qenë i dënuar, të jetë në kushte shëndetësore që lejojnë kryerjen e detyrës, dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

Ndër kriteret e tjera janë, që duhet të ketë vetëm nënshtetësinë shqiptare, të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë, integritet dhe figurë të pastër morale dhe të mos ketë masa për shkelje të rënda disiplinore të Policisë brenda 5 viteve të fundit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për 5 vjet të tjera. Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj.

Ai u largua  pas protestës së të shtunës, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në zemrën e qytetit, në zonën e ish -bllokut dhe goditën me molotov vilën e ish -diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.

Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar nga Ministrja e Brendshme, zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.

Tv Klan

/tvklan.al