Aktorët e teatrit kërkojnë rikthimin në skenë

“Sindikata e trupës së Teatrit Kombëtar sot në një dalje për mediat i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës rikthimin e aktorëve në skenë pas kaq shumë kohësh të bllokuar nga pandemia e Covid-19 dhe rifillimin e provave”.

Për më shumë se gjashtë muaj, pandemia e koronavirusit u ka vënë kyçin edhe institucioneve të artit. Ndryshe nga disa vende të tjera, ku teatrot dhe kinematë janë rihapur nën masa sigurie si pasojë e Covid-19 , në Shqipëri institucionet e artit vijojnë të jenë të mbyllura.

Gjatë mbledhjes së sotme, Kryetari i Sindikatës së Trupës të Teatrit Kombëtar, Artan Imami, shpreh se ka ardhur koha që teatri të ndezë dritat për të rinisur punën në një kohë kur baret dhe restorantet janë hapur që në muajin Qershor.

“Ka ardhur moment që ne të fillojmë provat me shpresën se jeta vazhdon. Ne do të përshtatemi dhe sigurisht që duhet të mbijetojmë”.

Por mëritë dhe ndarjet mes aktorëve për çështjen e prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar janë reflektuar edhe në të tilla organizime. Adelina Muça shprehet se harresa ndaj artistëve po bëhet edhe më e madhe dhe duket sikur të gjithë janë lënë në mëshirë të fatit.

“Vlen ajo shprehja në pritje të Godosë kështu jemi të gjithë aktualisht pasi se dimë se çfarë po bëhet. Problemi tjetër është se përpos dëshirës që kanë aktorët për të ardhur në skenë mbetet edhe ana financiare”.

Në pamundësi për të marrë një dritë jeshile zyrtare, për rikthimin në skenë, këtë fundjavë në Teatrin Arturbina do të jepen dy shfaqje brenda ambienteve të cilat çelin edhe sezonin e ri artistik në këtë teatër.

Të dy shfaqjet për fëmijë do  të jepen duke zbatuar të gjitha rregullat anti-Covid 19, ku publiku do të jetë i reduktuar duke ruajtur distancën dhe duke mbajtur maskën.

Klan Plus