Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një propozim ndryshe nga ata që janë dhënë deri tani për emrin që duhet të ulet në postin e Presidentit të vendit.
Në një konferencë të posaçme për mediat, Haradinaj tha se është në nderin e kësaj legjislature dhe të çdo legjislature të Kuvendit që t’i vazhdohet mandati ish-presidentit Hashim Thaçi. Kjo, sipas tij, edhe si një përgjigje për armiqtë e Kosovës.
“…t’ia vazhdojmë mandatin Presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati me një ndërhyrje ligjore dhe, me kthimin e tij, është në nderin tonë, si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake apo politike, po për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin”.
Haradinaj bëri akuza të forta ndaj Albin Kurtit, duke deklaruar se ai po mban peng Kosovën.
“Ka edhe X opsione të tjera, mos me e mbajtur peng Kosovën. Pra, po e them edhe një herë, armiqtë nuk flenë, regjimi i Kurtit po do me e vënë në gjumë Kosovën.”
Sipas Haradinajt, çështja e marrëveshjes për president është një alibi e Vetëvendosjes.
“Kuvendi është inekzistent. E vërteta është që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, është djegie e mundësisë, edhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit, nga Kurti, regjimi i tij, për shkak se ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor.”
Hashim Thaçi e la detyrën e Presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, rreth 5 muaj përpara mbarimit të mandatit pas publikimit të akuzave nga Gjykata e Hagës. Pas një procesi që zgjati gati 6 vite, gjykata ka deklaruar se do të japë vendimin më 16 shtator, për Thaçin dhe 3 bashkëpunëtorët e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 